Trump i vendosur: Do ta marrim Groenlandën në një mënyrë apo në një tjetër
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka folur sërish për çështjen e Groenlandës. Ai e përshkruan territorin si një çështje strategjike për sigurinë kombëtare.
I pyetur se sa para do t’i ofronte Danimarkës për ishullin, Trump tha se “nuk po flas për para akoma, por mund të flas për këtë”.
Në vend të kësaj, ai bëri një paralajmërim të fortë, raportojnë mediat ndërkombëtare.
“Tani për tani, ne do të bëjmë diçka për Groenlandën, pavarësisht nëse u pëlqen apo jo, sepse nëse nuk e bëjmë, Rusia ose Kina do ta marrin Groenlandën dhe nuk do ta kemi Rusinë ose Kinën si fqinjë. Në rregull? Do të doja të bënim një marrëveshje, e dini, në mënyrën e lehtë. Por nëse nuk e bëjmë në mënyrën e lehtë, do ta bëjmë në mënyrën e vështirë”, tha mes të tjerash Trump.
Kujtojmë se pas operacionit ushtarak të SHBA-së në Venezuelë, Trump e ka ashpërsuar retorikën e tij për marrjen e Groenlandës.
Ndryshe, Danimarka e ka bërë të qartë se Grenlanda nuk është për shitje dhe se do ta mbrojnë me çdo çmim.
Analistët e sigurisë e shohin interesin e SHBA-së në Grenlandë si një lëvizje strategjike kundër ndikimit rus dhe kinez në Arktik.